Çitaku: Mbrojtja e së vërtetës historike dhe anëtarësimi në KiE, prioritete të PDK-së

Çitaku: Mbrojtja e së vërtetës historike dhe anëtarësimi në KiE, prioritete të PDK-së

Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka theksuar se diplomacia parlamentare duhet të përqendrohet në mbrojtjen e së vërtetës historike për luftën e Kosovës dhe në avancimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës (KiE).

Pas mbledhjes, Çitaku deklaroi se këto dy çështje përbëjnë prioritete për PDK-në, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit institucional dhe diplomatik në këtë drejtim.

“Për ne është shumë e rëndësishme diplomacia parlamentare, posaçërisht në dy pika: në mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës së popullit të Kosovës për liri e shtet dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”, u shpreh ajo.

Duke komentuar raportet me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, Çitaku tha se mospajtimet janë pjesë e marrëdhënieve mes aleatëve dhe se zgjidhja e tyre duhet të bëhet përmes dialogut dhe sqarimit të qëndrimeve.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që me BE-në të diskutohet për përmbajtjen dhe qëllimin e ligjit, në mënyrë që të qartësohen synimet e tij.

Sipas Çitakut, ligji nuk ka për qëllim shmangien e drejtësisë, por rikthimin e një procesi, të cilin ajo e konsideron të devijuar dhe të deformuar, në rrugën e duhur.

“Nuk kërkon ikje nga drejtësia, përkundrazi kërkon drejtësi dhe një proces të devijuar e të deformuar ta kthejë në binarë të drejtë”, deklaroi ajo.

Në fund, Çitaku u shpreh optimiste se përmes diskutimeve do të arrihet mirëkuptim me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të veprojë si partnere e tyre.

“Kosova është partner. Partnerët diskutojnë, debatojnë dhe unë jam e bindur që në fund do të ketë pajtueshmëri”, përfundoi Çitaku.

Share This