
Çitaku akuzon Vetëvendosjen: “Po saboton me qëllim ndërtimin e institucioneve”
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se me veprimet e saj po pengon me qëllim ndërtimin e institucioneve shtetërore.
Në një postim në “Facebook”, Çitaku ka thënë se partia në pushtet synon të delegjitimojë institucionet dhe vetë demokracinë në vend.
“Lëvizja Vetëvendosje me qëllim po e saboton ndërtimin e institucioneve të vendit. Po tallet paturpësisht me qytetarët e Kosovës, ata që e besuan dhe e votuan në zgjedhjet e kaluara. Me veprimet e saj, LV-ja synon të delegjitimojë institucionet dhe vetë demokracinë,” ka shkruar ajo.
Sipas Çitakut, kjo është një sjellje e papërgjegjshme dhe e rrezikshme që nuk ka asnjë konsideratë për sakrificën e bërë për lirinë dhe të drejtën për të jetuar në demokraci.
Ajo shtoi se mungesa e ndjeshmërisë ndaj së ardhmes dhe sfidave që e presin vendin është shqetësuese për stabilitetin e Kosovës.

