
Capello: Napoli favorit, Inter rivali kryesorë
Ish-trajneri i njohur italian, Fabio Capello, në një intervistë për “SportWeek”, e ka analizuar kampionatin e ri të Serie A që nis sot, duke dhënë parashikimet e tij për edicionin e ri.
Sipas Capello-s një element i rëndësishëm këtë sezon është ndryshimi i madh në bankina.
“Është për t’u nënvizuar fakti që pothuajse të gjitha skuadrat e mëdha kanë ndërruar trajner: Interi, Milani, Atalanta, Roma, Lazio, Fiorentina. Edhe Juventusi, në një farë mënyre, me Tudor që erdhi në fund të sezonit të kaluar. Vetëm Napoli ka mbetur me të njëjtin trajner,” tha Capello.
Sipas tij, suksesi i Napolit vitin e kaluar erdhi falë mbrojtjes më të mirë të kampionatit, edhe pse nuk shënoi shumë gola.
“Kjo diçka do të thotë,” shtoi ai.
Capello beson se mënyra e lojës së Antonio Contes do të mbetet e ngjashme, edhe pse me ardhjen e De Bruyne Napoli ka fituar shumë fantazi dhe cilësi. Ai paralajmëroi se trajnerët e tjerë do të përpiqen të kopjojnë stilin e Slot te Liverpool dhe lëvizjet e PSG-së, por kjo sipas tij është më e vështirë për t’u zbatuar.
“Siç e them shpesh, futbollit italian i ka bërë keq Guardiola, sepse kanë tentuar të kopjojnë lojën e tij pa pasur të njëjtët interpretime,” deklaroi ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit.
Capello e sheh Napolin si skuadrën favorite për titullin e kampionit në Itali.
“Jo vetëm sepse është kampione në fuqi, por edhe sepse në tregun e verës ka lëvizur në mënyrë perfekte për të përmirësuar ato pika ku vitin e kaluar nuk ishte e para”, theksoi Capello.
Menjëherë pas Napolit, sipas tij, qëndron Interi
“E njoh Chivun që nga koha kur ishte lojtar dhe jam i sigurt që ka personalitetin për ta çuar Interin lart. Kjo është një skuadër që ka nevojë vetëm të zgjohet nga gjumi i vitit të kaluar. Lojtarët janë aty, duhet vetëm t’i bindësh të kthehen normalë. Nëse e bëjnë këtë, Interi do të jetë rivali i parë i Napolit,” përfundoi Capello.


