Buxheti i vitit 2025, LVV thotë se i ka votat, LDK e AAK kundër
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të hënën të mbahet seancë e re. Në këtë seancë në rend të ditës do të jetë vetëm një pikë, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025. Pozita thekson se i ka votat për buxhet, kurse LDK dhe AAK thanë se nuk e votojnë atë.
Shefja e Grupit Parlamentar i LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se LVV i ka votat për miratimin e buxhetit të vitit 2025.
“Nuk është asgjë e re. Të gjitha miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, opozita nuk ka marrë pjesë. Ne, po, i kemi numrat”, tha Kusari-Lila.
Partitë opozitare LDK e AAK thanë se nuk do ta votojnë këtë buxhet. Nga PDK nuk pati deklarime për media.
Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se nuk do ta votojnë buxhetin, ngase, sipas tij, ka probleme serioze.
“Jo ne nuk e votojmë. Do të japim propozimet tona dhe nëse ato do të merren në konsideratë e shohim si mundësi. Ky buxhet i ka edhe dy probleme serioze. E para ndryshim ndërhyrja e buxhetit të shtetit në ligjin për paga të sektorit publik”, tha Gashi
Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk do ta votojnë buxhetin e vitit të ardhshëm, të cilin e ka cilësuar si varrosje e shpresës së 80 mijë njerëzve.
“Ne nuk e votojmë këtë buxhet. Ky buxhet është letërnjoftimi i kësaj qeverie që i ka mbajtur pezull për katër vite fillimisht me ligjin për paga e pastaj me koeficientin. Bie ndesh me të gjitha kriteret qe ne synojmë ti përmbushim”, tha Tahiri.
Në deklarimet për media, përfaqësuesit politikë kanë folur edhe për dialogun.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Kusari-Lila tha se Qeveria është dakorduar për marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit.
Duke folur për asociacionin, Arben Gashi tha se nuk do të lëshohet në komente, meqë, siç u shpreh ai, nuk e ka parë reagimin e BE-së.
“Nuk e kam parë reagimin e BE-së, andaj nuk do të lëshohem në komente”, deklaroi Gashi. Megjithatë ai tha se qeveria aktuale e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit të cilat, sipas tij, janë antikushtetuese.
Kurse , Besnik Tahiri tha se BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës.
“Çështja e parë është që BE-ja të largojë sanksionet. Nuk ka logjikë që ne të kemi sanksione e Serbia pas Banjskës, pa sanksione”, deklaroi Tahiri.
Sa i përket Asociacionit, Tahiri tha se qeveria e ka pranuar atë. /rtk/