
Burgu ku Sarkozy do ta vuajë dënimin, Reuters: Mund të jetë një përvojë tronditëse për të
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy shkoi në burg sot për ta vuajtur një dënim me pesë vjet heqje lirie, pasi u dënua për komplot kriminal në një rast që lidhet me përpjekjet për të siguruar financim për fushatën zgjedhore nga Libia gjatë sundimit të Muammar Gaddafit.
Më poshtë Reuters ka renditur disa fakte dhe detaje kryesore rreth burgut La Santé, ku Sarkozy, i cili gjithmonë ka deklaruar se është i pafajshëm, do të mbahet:
PSE LA SANTÉ?
La Santé është një burg me histori të gjatë në mes të Parisit, i cili dikur ka strehuar militantin e majtë Carlos the Jackal dhe liderin panamez Manuel Noriega.
Sarkozy do të mbahet në repartin e izolimit të burgut – një nga më të sigurtit në Francë – që do të thotë se ai do të jetë i vetëm në qelinë, oborrin dhe dhomën e aktiviteteve të tij, tha drejtori i administratës së burgjeve Sebastien Cauwel për radion RTL të martën.
Ish-ndihmësi i Sarkozyt, Claude Gueant, i cili ishte ndër të dënuarit të enjten, do ta vuajë dënimin e tij në një repart të posaçëm për “persona të cenueshëm” – të ashtuquajturat “dhoma VIP”, ku më parë janë mbajtur figura të njohura politike.
Ministria Franceze e Drejtësisë dhe administrata e burgut Paris-La-Santé nuk iu përgjigjën pyetjeve të Reuters për vendin e saktë ku do të mbahet Sarkozy.
Vendndodhja e La Santé në kryeqytet do ta bëjë më të lehtë për miqtë dhe familjen që ta vizitojnë Sarkozyn. Ministri i Drejtësisë Gerald Darmanin, një mbrojtës politik i Sarkozyt që tani e drejton sistemin e burgjeve, tha të hënën se do ta vizitojë ish-presidentin pas grilave.
SI JANË KUSHTET?
Të burgosurit në repartin “VIP” mbahen në qeli individuale, jo në njësitë e zakonshme me tre persona, dhe mbahen të veçuar gjatë aktiviteteve në ajër të hapur për arsye sigurie, tha për Reuters përfaqësuesi i sindikatës së rojeve të burgjeve Wilfried Fonck.
Përveç kësaj, tha Fonck, kushtet nuk janë më të mira se në pjesët e tjera të burgut, ku qelitë zakonisht janë 9-12 metra katrorë.
Qelitë e izolimit, në një repart të veçantë, janë 9 metra katrorë me mbulesa dritaresh të dizajnuara për ta kufizuar komunikimin midis të paraburgosurve, sipas një raporti të vitit 2020 nga Mbikëqyrësi i Përgjithshëm i Vendeve të Privimit nga Liria.
La Santé është rinovuar së fundmi dhe, sipas Julien Fischmeister nga seksioni francez i Observatorit Ndërkombëtar të Burgjeve, ka kushte më të mira se shumë burgje të tjera.
Tani të gjitha qelitë kanë dushin e tyre dhe telefona fiks. Sarkozy do të ketë gjithashtu qasje në një televizor, por do të duhet të paguajë 14 euro në muaj për këtë privilegj.
Fischmeister tha se Sarkozy do t’i ketë vaktet e tij të shpërndara në qeli, dhe burgu gjithashtu u lejon të burgosurve të blejnë produkte për të përgatitur ushqime vetë brenda qelive.
ÇFARË KA THËNË SARKOZY PËR BURGUN?
Ish-presidenti tha të dielën se nuk ka frikë të shkojë në burg dhe planifikon ta përdor kohën atje për ta shkruar një libër.
Megjithatë, burgu mund të jetë një përvojë tronditëse për një lider që ishte i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj krimit dhe që dikur i quajti të rinjtë e trazuar në periferi “plehra”, duke kërcënuar t’i “pastrojë” me zorrë uji me presion të lartë.
Si shumë burgje në Francë, La Santé është i mbipopulluar – megjithëse Sarkozy do të mbahet i ndarë nga të burgosurit e tjerë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, në gusht kishte 1.243 të burgosur në një institucion që është projektuar t’i mbajë 657.
Franca ka burgjet e treta më të mbipopulluara në Europë pas Sllovenisë dhe Qipros, sipas të dhënave të Këshillit të Europës për vitin 2024.
ÇFARË PO NDODH NË BURGJET FRANCEZE?
Darmanin ka udhëhequr një fushatë qeveritare për t’i ashpërsuar kushtet për të burgosurit e rrezikshëm nëpër burgjet e Francës.
Policia thotë se disa të burgosur drejtojnë biznese droge përmes telefonëve të futur fshehurazi dhe madje i kanë përdorur ata për të porositur vrasje të rivalëve. Disa janë kapur në video duke porositur kebapë dhe sushi, të dorëzuar në qelitë e tyre me dronë.
Më herët këtë vit, pati një seri sulmesh ndaj burgjeve në gjithë Francën. Autoritetet thonë se ato u organizuan nga anëtarë të një grupi në Telegram që e quante veten “Të Drejtat e të Burgosurve Francezë” dhe synonte t’i nxirrte në pah kushtet e tmerrshme me të cilat përballen të burgosurit.


