Borrell paralajmëroi Serbinë: Nuk mund të mbani lidhje me Rusinë dhe të prisni anëtarësim në BE

Borrell paralajmëroi Serbinë: Nuk mund të mbani lidhje me Rusinë dhe të prisni anëtarësim në BE

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se duke mos miratuar sanksione kundër Rusisë, vendi rrezikon anëtarësimin e plotë në BE.

“Serbia duhet të ndryshojë shkallën e shtrirjes së politikës së jashtme. Herët a vonë, Serbisë do t’i duhet të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së. Përndryshe, anëtarësimi do të jetë në rrezik,” tha Borrell.

Ai tha se nuk mund të mbajë lidhje me Rusinë dhe të presë anëtarësimin në BE.

“Pajtueshmëria është treguesi më i rëndësishëm nëse kandidatët ndajnë vlerat dhe orientimin tonë politik”, tha kreu i diplomacisë evropiane.

Së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim Oliver Varhelji, dje Borrell prezantoi paketën e zgjerimit të miratuar nga Komisioni Evropian (KE).

Në raportin për Serbinë, konfirmohet se vendi nuk ka përparuar në procesin e harmonizimit dhe se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik të Serbisë”.

Komisioni Evropian ka miratuar paketën e tij vjetore të zgjerimit për dhjetë vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit.

Është dokumenti më i rëndësishëm që KE publikon çdo vit, i cili paraqet një pasqyrë të detajuar të progresit në reformat kyçe që janë të nevojshme për përparimin në procesin e integrimit evropian.

Dhjetë vende janë pjesë e paketës, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Gjeorgjinë, Republikën e Moldavisë, Ukrainën dhe Turqinë.

KE konfirmon se procesi i zgjerimit vazhdon të jetë i bazuar në merita dhe varet nga progresi objektiv i secilit partner.

“Demokracia, sundimi i ligjit dhe vlerat themelore do të vazhdojnë të jenë gur themeli i politikës së zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi në BE mbetet një zgjedhje strategjike”, thuhet në deklaratën e KE-së.

Konfirmohet se procesi i zgjerimit mori një vrull të ri gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Share This