
Bordi i Paqes reagon për përfshirjen e Kosovës në ISF
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Vendit Pjesëmarrës për përfshirjen e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), ka reaguar edhe Bordi i Paqes.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Bordi i Paqes ka bërë të ditur se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, Bordit të Paqes, Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe Grupit Punues për Gazën kanë finalizuar zyrtarisht marrëveshjen për përfshirjen e Kosovës në ISF.
Sipas reagimit, kjo marrëveshje dëshmon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj për objektivat strategjike të Planit 20-Pikësh të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, raporton rtk.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe komandanti i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers.

