Blinken kthehet pa marrëveshje në Lindjen e Mesme
Sekretari amerikan Antony Blinken është kthyer në Uashington pa marrëveshje mes palëve në konfliktin Izrael – Hamas. Nga ana tjetër, Irani paralajmëron se ekziston mundësia e një operacioni tokësor ndaj izraelit në shenjë hakmarrje.
Armëpushimi ende i paarritshëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën edhe 52 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë 12 palestinezë në një shkollë të qytetit të Gazës dhe nëntë të tjerë në një zonë tregu të mbushur me njerëz në Deir el-Balah.
Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, përfundoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme pa një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit. Ndërsa, udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid ka fajësuar qeverinë për humbjen e kontrollit të veriut pasi një breshëri raketash nga Libani goditi vendbanimin Katzrin, duke shkaktuar zjarre dhe duke plagosur të paktën një person.
Në anën tjetër, Irani ka lënë të kuptohet për një sulm të mundshëm tokësor ndaj Izraelit. Misioni i Iranit në OKB në një deklaratë përsëriti zotimin për t’u hakmarrë kundër Izraelit për vrasjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran. Përgjigja e Iranit duhet të ketë dy rezultate të qarta, u tha në deklaratë, sipas agjencisë së lajmeve Mehr. ”Së pari, duhet të ndëshkojë agresorin për terror dhe shkelje të sovranitetit kombëtar të Iranit. Së dyti, duhet të forcojë fuqinë parandaluese të Iranit dhe t’i sjellë regjimit izraelit keqardhje të thellë për të parandaluar çdo agresion në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.