Blinken: Izraeli e ka pranuar marrëveshjen, thirrje Hamasit të pranojë atë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli ka rënë dakord me një marrëveshje që mundëson armëpushimin dhe lirimin e pengjeve në Gazë dhe i bëri thirrje Hamasit të bëjë të njëjtën gjë, pa përmendur nëse marrëveshja u jep përgjigje vërejtjeve të grupit militant.
Blinken i bëri këto deklarata pas një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që zgjati dy orë e gjysmë.
Ai gjithashtu nuk komentoi nëse marrëveshja e propozuar përfshin kërkesat e Izraelit për të kontrolluar dy korridore strategjike në brendësi të Gazës, për të cilat Hamasi ka thënë se nuk pajtohet, apo çështjet e tjera që kanë shkaktuar ngecjen e negociatave.
“Në një takim shumë frytdhënës me Kryeministrin Netanyahu sot, ai më konfirmoi se Izraeli e mbështet marrëveshjen e propozuar,” u tha Sekretari Blinken gazetarëve. “Hapi i ardhshëm i rëndësishëm është që Hamasi të thotë ‘po’”.
Në fillim të vizitës, Blinken tha se ka ardhur koha për ta përmbyllur marrëveshjen për armëpushim në Gazë që do të mundësonte lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe do t’u jepte fund vuajtjeve të palestinezëve gjatë këtyre dhjetë muaj lufte shkatërrimtare në Gazë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po qëndron në Lindjen e Mesme, ku pritet të shtojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhjetë mujore në Gazë. Në takim me zyrtarët e lartë izraelitë sot, Sekretari Blinken i quajti përpjekjet për arritjen e armëpushimit “një moment vendimtar dhe mbase të fundit” për arritjen e paqes së qëndrueshme. Por edhe pse gjasat për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi janë të larta, sipas analistëve zbatimi i saj paraqet një sfidë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po realizon vizitën e tij të nëntë në Izrael që prej sulmit të grupit militant Hamas më 7 tetor, për t’u dhënë peshë përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë.
Në takim me zyrtarët izraelitë ai tha se përpjekjet diplomatike, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari mbase janë mundësia e fundit për të siguruar lirimin e pengjeve dhe për të shmangur përshkallëzimin e luftës.
“Ky është një moment vendimtar. Sigurisht mundësia më e mirë, mbase edhe e fundit për të siguruar lirimin e pengjeve, për të arritur armëpushimin dhe për t’i drejtuar proceset drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme…”, tha Blinken.
Ai tha se është gjithashtu e rëndësishme që asnjëra palë të mos ndërmarrë veprime të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të frenuar përshkallëzimin.
Sekretari Blinken po viziton Izraelin mes shqetësimeve për sulme të mundshme nga Irani dhe grupet e afërta me të, pas operacioneve izraelite që vranë udhëheqës të lartë të grupeve militante në Liban dhe atentatit ndaj udhëheqësit politik të Hamasit në Iran, prapa të cilit dyshohet se qëndron Izraeli.
Ndërmjetësit pritet të takohen gjatë kësaj jave në Kajro, ku Sekretari Blinken do të qëndrojë të martën. Marrëveshja që po diskutohet pritet të ketë tre faza: lirimin e të gjitha pengjeve nga Hamasi, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e të burgosur palestinezë.
Sekretari Blinken u takua edhe ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Pak para vizitës së Blinkenit në Izrael, kryeministri Netanyahu i tha kabinetit të tij që ekzistojnë disa pjesë të propozimit ku Izraeli mund të tregojë fleksibilitet, por disa pjesë ku nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
“Po zhvillojmë negociata dhe jo një skenar kur ne vetëm do të japim,” deklaroi ai.
Të dielën vonë, grupi militant Hamas tha përmes një deklarate se Netanyahu po pengon arritjen e marrëveshjes, duke vënë kushte të reja dhe e akuzoi se dëshiron ta zvarrisë luftën. Sipas grupit, oferta e fundit përbën një kapitullin ndaj Izraelit.
“Propozimi i ri u përgjigjet kushteve të Netanyahut,” shtoi Hamasi.
Të hënën, Sekretari Blinken tha se dyja palët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur marrëveshjen.
Një delegacionin izraelit u takua me zyrtarët egjiptianë në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje, tha një zyrtar i Egjiptit të hënën.
Sipas tij, takimi disa orësh me palën izraelite u përqendrua tek korridori ‘Philadelphi’ përgjatë kufirit të Egjiptit me Gazën, por zyrtari theksoi se nuk u arrit ndonjë rezultat.
Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, i tha agjencisë ‘The Associated Press’ se Izraeli ende po këmbëngul që të kontrollojë kufirin dhe rrugën lindje-perëndim që përshkon Gazën. Ai tha se delegacioni nuk kishte ofruar risi në këtë takim.
Sipas ekspertit të sigurisë kombëtar, Howard Stoffer, pranë Universitetit ‘New Haven’ edhe nëse palët bien dakord, zbatimi i marrëveshjes do të jetë i ndërlikuar.
“Mund të ketë dallim midis palëve se kush mund të lirohet. Procesi i tërheqjes nga Gaza është i komplikuar ngaqë kryeministri Netanyahu kërkon që të vendosen kufizime që në veri të Gazës të mos hyjnë persona të armatosur nga jugu ”, deklaroi ai.
Autoritetet izraelite ndërkohë thanë se po bëjnë përgatitjet për t’u përballur me një sulm të mundshëm në qytetin verior të Haifës. Në afërsi të portit, spitali Ramdam po transformon parkingun e tij nëntokësor në një hapësirë ku mund të zhvendosen 1200 shtretër të spitalit, në rast të një sulmi që mund të zgjasë 60 ditë.
Grupi militant Hezbollah, të cilin qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste, ka goditur pjesën veriore të Izraelit me raketa dhe dronë në baza ditore.
“Izraeli nuk është i rrethuar nga vende mike. Po përgatitemi për sulm dhe jemi gati për çdo situatë. Ekzistojnë përpjekje diplomatike për të shtensionuar situatën, por ne po bëhemi gati për çdo skenar”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite David Avraham.
Përpjekjet për të arritur një marrëveshjeje armëpushimin po bëhen ndërkohë që numri i të vrarëve në Gazë që nga fillimi i luftës ka arritur në 40,000, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve.
Izraeli thotë se ka vrarë 17,000 militantë të Hamasit, por nuk ka ofruar prova për ta mbështetur këtë pretendim. /VOA/