Bislimi fton Lajçak për reagim: Serbia refuzoi marrëveshjen, Kosova jo
Zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia ka refuzuar marrëveshjen trepalëshe, të vendosur në Bruksel për 17 shtator.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për në 17 shtator, Kosova ka pranuar një marrëveshje trepalëshe, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një marrëveshje të tillë duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”, ka shkruar ai në X.
Bislimi ka kërkuar reagim nga i dërguari i posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të mohoj lajmin e publikuar nga media serbe “Tanjug”, që thotë se Kosova ishte pala që shfaqi refuzim.
“Ftoj Miroslav Lajçak të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe më poshtë, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, ka thënë ai duke shpërndarë lajmin e medias serbe, raporton rtk.