Biden: Vrasja e liderit të Hamasit `nuk i ndihmon` bisedimet për armëpushim
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se vrasja e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh “nuk i ndihmon” bisedimet për një armëpushim të mundshëm në Gaza. Haniyeh u vra gjatë një vizite në kryeqytetin e Iranit, Teheran, të mërkurën, ndërsa Irani dhe aleatët e tij kanë fajësuar Izraelin, teksa kjo e fundit ende nuk ka komentuar për vdekjen e tij.
Haniyeh ishte zyrtari më i lartë i Hamasit dhe ishte shumë i përfshirë në bisedimet e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve nga baza e tij në Katar. Biden tha se ishte “shumë i shqetësuar” për rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
“Ne kemi bazën për një armëpushim dhe Kryeministri Netanyahu edhe Hamasi duhet të lëvizin drejt saj tani.”, ka shtuar më tej presidenti amerikan.
Izraeli dhe Hamasi rifilluan kohët e fundit bisedimet tentative, indirekte për të arritur një armëpushim në luftën në Gaza, megjithëse ka pasur raporte kontradiktore për përparim. Në fund të majit, Biden përshkroi ato që ai tha se ishin kushtet e një propozimi izraelit për armëpushim.
Kjo është bërë baza për negociatat indirekte ndërmjet Hamasit dhe Izraelit që atëherë, me Katarin, Egjiptin dhe SHBA-në që veprojnë si ndërmjetës. Në fillim të kësaj jave, Izraeli dhe Hamasi akuzuan njëri-tjetrin për pengim të përparimit.
Hamasi tha se Izraeli kishte vendosur kushte të reja, ndërsa zyra e Netanyahu tha se Hamasi kishte kërkuar 29 ndryshime në propozim. Biden ka potencuar se kishte folur me kryeministrin Netanyahu më herët të enjten dhe kishte premtuar se do ta mbronte Izraelin “kundër të gjitha kërcënimeve nga Irani”, i cili është zotuar të hakmerret. Irani është mbështetësi më i rëndësishëm i Hamasit dhe është një armik kryesor i Izraelit. Vrasja e Haniyeh erdhi në një kohë të tensioneve në Lindjen e Mesme. /rtk/