Biden në Berlin: Gjermania, aleatja më e ngushtë e SHBA
Presidenti i SHBA, Joe Biden bëri një vizitë zyrtare në Gjermani. Ai e vlerësoi Gjermaninë si aleaten më të ngushtë të SHBA. Nën Bidenin, boshti Uashington-Berlin pati një rivlerësim cilësor, shkruan Auron Dodi.
Vizita zyrtare e Presidentit të SHBA Joe Biden në Gjermani është një vlerësim i SHBA për rolin e Gjermanisë në Evropë dhe në botë.
Në Berlin, Bideni e cilësoi Gjermaninë “më të ngushtin dhe më të rëndësishmin nga aleatët” e SHBA. Me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, Gjermania i kujtoi të gjithë pse është kaq e rëndësishme aleanca e Natos, tha Biden.
Presidenti amerikan solli me vete vlerësime të larta për mikpritësit gjermanë. Para takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Joe Bideni theksoi se nën drejtimin e Scholzit Gjermania u ngrit në këmbë dhe u përball me momentin. Kancelarin Scholz, Bideni e vlerësoi me fjalët se “ju treguat vendosmërinë, për ta përshtatur politikën e jashtme gjermane, me realitetet e reja dhe për të qëndruar përkrah Ukrainës fort dhe pa u lëkundur.”
Në kuadër gjeopolitik, Presidenti Biden i njohu kancelarit Scholz meritën se kishte reaguar drejt në momentin e duhur. “Ju treguat mençurinë që të kuptonit se kjo luftë shënoi një pikë kthese në histori.”
Bideni tha në Berlin se Gjermania është angazhuar në mënyrë të pabesueshme për Ukrainën. “Amerika dhe Gjermania janë dy mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën e saj për të mbijetuar si një komb i lirë dhe i pavarur”, tha Biden. Më tej ai çmoi mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Izraelit dhe luftën kundër antisemitizmit e urrejtjes në Gjermani. /DW