Berisha për vendosjen e “non grata-s”: Kundërshtova ndarjen e Kosovës dhe koalicionin PD-PS

Berisha për vendosjen e “non grata-s”: Kundërshtova ndarjen e Kosovës dhe koalicionin PD-PS

Ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike komentoi sot arsyet dhe prapaskenat që sipas tij çuan në shpallen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për mediet, Berisha tha se ky veprim kishte lidhje me një plan të financuar nga politika e brendshme dhe ajo ndërkombëtare ku përfshihej edhe kryeministri Edi Rama.

Berisha u shpreh se atij iu tha nga Rama se ai nuk do të mund të kalonte Atlantikun dhe se kishte marrë një mesazh nga amerikanët.

“Unë nuk kisha marrë asnjë mesazh,” – tha Berisha, duke shtuar se më vonë, Rama kishte shpërndarë informacionin se ai ishte sanksionuar për një “konspiracion kundër politikës së SHBA në rajon”.

Berisha tha se një nga ngjarjet që ishte paraqitur si konspiracion, ishte kundërshtimi i tij ndaj projektit të ndarjes së Kosovës.

“Kur kundërshtova projektin e ndarjes së Kosovës, udhëheqësit kosovarë erdhën në zyrën time dhe deklaruan se ata gjithashtu e kundërshtonin. Rama e paraqiti këtë si një konspiracion timin me liderët kosovarë,” – tha Berisha.

Berisha theksoi se pas dështimit të akuzave për konspiracion, të tjera akuza filluan të dalin, duke përmendur një lidhje të mundshme me të ashtuquajturin skandal McGonigal.

“Ata u munduan të përdornin këtë pistë për të më sulmuar, por kjo gjithashtu dështoi” – tha ai.

Në lidhje me këtë, Berisha akuzoi Ramën dhe influencën e George Sorosit, duke thënë se ai ishte i vendosur për të bërë koalicionin PD-PS.

Sipas Berishës, Rama, me mbështetje nga figura të fuqishme ndërkombëtare si Blinken, kishte arritur të manipulojë për të realizuar një akt të paprecedentë të vendosjes së sanksioneve ndaj tij.

“Ky është një akt i paprecedentë. Një grusht shteti që dështoi,” – përfundoi Berisha. /atsh/

Share This