Bëri fushatë kundër tij, Isa Mustafa i përgjigjet Donika Gërvallës: Fallxhore, njerëzit s’duhet të mashtrohen dy herë
Isa Mustafa, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i është përgjigjur kryetares së “Guxo”, Donika Gërvalla, pasi kjo e fundit nga një tubim elektoral në Istog sulmoi Mustafën.
Sipas Gërvallës “Isa Mustafa e kishte luftuar Ibrahim Rugova”, teksa ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaroi çuditshëm se “Rugova është në Guxo e jo në LDK”.
Por, për Mustafën, Donika Gërvalla tashmë është vetëm “marionetë” e një partie të majtë ekstreme, referuar Lëvizjes Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në një përgjigje për “Express”, të premten, Mustafa tha njerëzit kanë të drejtë të shpresojnë, por jo të mashtrohen dy herë, fillimisht nga Vjosa Osmani e në vazhdimësi nga Donika Gëvralla.
“Kam hezituar të merrem me Donikën, të cilën e kam takuar për herë të parë më 1992, kur ndihmonte në zyrat e LDK-së në Stuttgart, si një vajzë e një veprimtari të vrarë nga serbët në Gjermani. Edhe sot nuk flas me ëndje për te, sepse do të dëshiroja të ishte treguar e zonja në punën e saj, të kishte sjellë së paku një njohje të re për Kosovën ose një anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, të ishte parimore në përcaktimin politik, të mos bëhej marionetë e një partie ekstreme të majtë dhe shërbëtore e Kurtit. Të mos e ofendojë Ibrahim Rugovën, ta lë të qetë në amshim me respektin e njerëzve që e kanë dashur dhe e duan përherë. Njerëzit e LDK-së janë njerëz të besimit dhe shpresës. Të parët kanë qëndruar stoik në mbrojtje të vlerave të partisë, të dytit kanë eksperimentuar me shpresën, duke u mashtruar nga Vjosa dhe shoqja e saj Donika. Njerëzit kanë të drejtë të shpresojnë por jo të mashtrohen dy herë. Dhe atë nga njerëz që janë dëshmuar të pavlerë, e pa parime”, ka thënë Mustafa.
Tutje, ai ka deklaruar se Kosova duhet të shpëtoje nga hendeku të cilin sipas tij e kanë katandisur “fallxhoret si Donika”.
“Njerëzit e LDK-së, dhe qytetarët e Kosovës të vlerave perëndimore do të përkrahin e mbrojnë vlerat që i kanë trashëguar, do të votojnë gjithë ata që i kanë qëndruar besnikë LDK-së. Kosova duhet të shpëtojë nga hendeku që e kanë katandisur fallxhoret si Donika dhe fallëxhinjë politik”, ka thënë Mustafa.