Belgjika fiton kundër Rumanisë
Belgjika ka shënuar fitoren e parë në Euro 2024, teksa të shtunën në mbrëmje në Këln, e ka mposhtur Rumaninë, me rezultat 2:0.
Fillimi i shkëlqyer i belgëve u kurorëzua me një gol të shpejtë nga Youri Tielemans, i cili realizoi pas një asistimi nga Romelu Lukaku pas vetëm 73 sekondash lojë. Ky ishte goli i tretë më i shpejtë në historinë e Kampionatit Europian. Vetëm Nedim Bajrami (23 sekonda në Euro 2024) dhe Dmitri Kirichenko (67 sekonda në Euro 2004) kanë shënuar gola më të shpejt.
Pjesa e parë përfundoi me epërsinë 1:0 për Belgjikën, që e kontrolloi lojën në vazhdimësi dhe e menaxhoi mirë avantazhin e hershëm.
Në minutën e 63-të të ndeshjes, Lukaku shënoi, por pas rishikimit të VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Megjithatë, Belgjika nuk u dorëzua dhe vazhdoi të sulmonte. Dhe në minutën e 80-të, Kevin De Bruyne vulosi fitoren për skuadrën e tij me një gol të shkëlqyer. Pas një goditjeje të gjatë nga portieri Casteels, topi përfundoi te De Bruyne, i cili realizoi një goditje të saktë nga brendësia e zonës, duke çuar topin përtej portierit rumun, Niță. Belgjika pati edhe disa mundësi tjera shënimi, por edhe rumunët patën një rast të mirë
Me këtë fitore, Belgjika siguron tri pikë të rëndësishme në grupin E, ku edhe tri skuadrat tjera Ukraina, Rumania dhe Sllovakia kanë po ashtu nga 3 pikë. Në ndeshjet e xhiros së tretë, të cilat janë përcaktuese, Belgjika luan kundër Ukrainës, derisa Rumania kundër Sllovakisë. /rtk