Behrami: Vendimi i 16 shtatorit po i shkakton ankth Kurtit

Behrami: Vendimi i 16 shtatorit po i shkakton ankth Kurtit

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka ngritur pretendime se vendimi që pritet të merret më 16 shtator në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkakton shqetësim te kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Behrami, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ka deklaruar se Kurti mund të synojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme gjatë muajit shtator, me qëllim që të pengohen tubimet publike pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale.

Sipas deputetit të PDK-së, një masë e tillë do të ishte veçanërisht problematike në rrethanat aktuale politike, duke pasur parasysh se institucionet e vendit nuk janë ende të konstituuara.

Behrami ka theksuar se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është kompetencë e presidentit dhe bëhet në konsultim me kryeministrin, ndërsa ka vlerësuar se një vendim i tillë në situatën aktuale do të kishte pasoja serioze.

Ai ka pretenduar se vendimi i 16 shtatorit mund të pasohet nga tubime të qytetarëve, qoftë në rast të lirimit të ish-krerëve të UÇK-së, qoftë në rast të një vendimi dënues.

“Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në shtator, Kurti synon parandalimin e festës për lirimin e krerëve të UÇK-së ose të protestave masive, nëse verdikti do të jetë dënues”, ka shkruar Behrami.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në skenën politike në Kosovë.

Share This