Begaj takohet me emisarin britanik, diskutojnë edhe për Kosovën

Begaj takohet me emisarin britanik, diskutojnë edhe për Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur të hënën në takim lordin Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e presidencës shqiptare është thënë se biseda është fokusuar në situatën e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe globale, ku u theksua rëndësia e integrimit Euroatlantik përballë pasojave të ndikimit të aktorëve të tretë.

Në këtë kontekst është theksuar se vendet e rajonit të vijojnë të kenë të linjëzuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian (BE).

Rëndësi të veçantë në këtë takim i është kushtuar nevojës për investime në infrastrukturë, që do të mundësonin forcimin e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe Korridorit VIII, një projekt që afron vendet midis Adriatikut dhe Detit të Zi.

“Gjithashtu, ndryshimet e reja në strukturat evropiane u vlerësuan si një mundësi për përfitim nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.Presidenti i Shqipërisë i shprehu lordit Peach mirënjohje për angazhimin dhe përpjekjet e tij si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, për forcimin e stabilitetit rajonal, atë të institucioneve demokratike dhe ndihmën për trajtimin e sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë. Një vlerësim të veçantë presidenti Begaj shprehu për kontributin e dhënë me trupa në KFOR për ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, ka njoftuar Presidenca e Shqipërisë.

Share This