Begaj: Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave
Duke reaguar pas lajmit për vdekjen e Kadaresë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë tha se “ikja e tij është e pangushëllueshme” për të dhe për letërsinë shqipe.
“Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë evropiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni, qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha”, thuhet në reagim.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”.
“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”, shkroi Begaj në Facebook.