Bedri Hamza shpalos sloganin e PDK-së: Kosova mundet ma mirë

Bedri Hamza shpalos sloganin e PDK-së: Kosova mundet ma mirë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, e ka shpalosur sloganin me të cilin kjo parti do të garojë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.

“Nëse ka një mesazh që dua ta merrni të gjithë ju nga kjo konventë, është bindja jonë se Kosova mundet ma mirë. Ky është edhe slogani i fushatës sonë “Kosova mundet ma mirë”. Ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë. Ndërsa, unë si kryeministër ju siguroj se do ta bëj këtë”, ka thënë Bedri Hamza.

Hamza është zotuar se si kryeministër do të përkushtohet të ndërtojë një ekonomi që fuqizon çdo familje.

“Vizioni im është i thjeshtë, por thelbësor: zhvillimi ekonomik, forcimi i drejtësisë dhe ndërtimi i një sistemi të qeverisjes që përfshin të gjithë, që u jepë të rinjve mundësi për të punuar dhe ndërtuar jetën këtu, në vendin që e duam”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se populli ynë beson se Kosova mundet ma mirë.

“Ky është zëri i qytetarëve tanë. Ata thonë se Kosovën mund ta bëjmë më të mirë. Ata janë të gatshëm të punojnë shumë për ta arritur këtë. Por, më e rëndësishmja, sot populli ynë beson se Kosova mundet ma mirë”.

“Ne të gjithë mund të bëhemi më të mirë në shumë mënyra. Mund të bëhemi zyrtarë më të mirë, punëtorë më të mirë, punëdhënës më të mirë, mësues më të mirë, prindër më të mirë, studentë më të mirë. Dua që të gjithë ju të besoni se Kosovën mund ta bëjmë ma të mirë”, ka shtuar ai.

Duke folur për sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova, Hamza ka përmendur faktin se qytetarët ende janë duke luftuar për t’i përmbushur nevojat e përditshme.

“Shumë të reja e të rinj janë duke kërkuar shpresë e punë në vende të huaja. Kjo duhet të ndryshojë. Kjo është arsyeja pse kam pranuar kandidaturën për kryeministër dhe ta udhëheq Kosovën në rrugën përpara. Unë besoj fuqishëm se Kosova mundet ma mirë”, ka thënë ai.

Share This