
Bedri Hamza: Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në, periudha më e errët në historinë e Kosovës
Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një nga momentet më të rënda për vendin që nga shpallja e pavarësisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përjetësisht aleati më i rëndësishëm i Kosovës. Ky partneritet është pasuria më e madhe e shtetit tonë. Me SHBA-në e kemi bërë rezistencën paqësore. E kemi bërë luftën dhe e kemi arritur lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën, si pasojë e veprimeve të qeverisë, shënon periudhën më të errët në historinë e re të Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ai theksoi se ky është një lajm i keq për Kosovën, por edhe një vendim i vështirë për qeverinë amerikane.
“Shteti dhe populli i Kosovës nga sot është para një sfide ekzistenciale, ku marrëdhëniet me ShBA-në po rrezikohen seriozisht dhe bashkë me to edhe shteti i Kosovës. Këto marrëdhënie nuk janë vetëm çështje diplomacie, por janë garancia më e fortë për ekzistencën, stabilitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Hamza u bëri thirrje forcave politike që të tejkalojnë egot personale dhe të bashkohen për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
“Apeli im publik mbetet i qartë: duhet t’i tejkalojmë egot personale dhe të bëhemi bashkë për ta ruajtur shtetin tonë. Kosovën duhet ta rikthejmë në rrugën euroatlantike, në partneritet strategjik me SHBA-në dhe BE-në”, ka përfunduar Hamza.


