BDI reagon pas djegieve të dyqaneve në Kumanovë, akuzon Qeverinë

BDI reagon pas djegieve të dyqaneve në Kumanovë, akuzon Qeverinë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në Kumanovë, ku disa makina dhe një dyqan të shqiptarëve janë djegur.

“Ngjarjet e rënda që ndodhën mbrëmë në Kumanovë, ku disa makina dhe një dyqan të shqiptarëve u dogjën, janë dëshmi e hidhur e frymës së urrejtjes dhe ndasive ndëretnike që kjo qeveri jolegjitime ka krijuar. Kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri apo dështim – kjo është një krizë e rrezikshme që po përkeqësohet çdo ditë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas kësaj partie, kur qeveria nuk arrin të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj dhe kur institucionet heshtin përpara veprimeve të tilla të urrejtjes, mesazhi që dërgohet është i qartë: “shqiptarët në këtë vend janë të lënë në mëshirën e fatit. Kjo qasje nuk është vetëm diskriminuese, por edhe thellësisht destabilizuese për të gjithë shoqërinë”.

Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje “urgjente nga faktori ndërkombëtar. “Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend”, thuhet pos tjerash në këtë reagim.

Share This