
Batatina assesi ta pranojë fer humbjen, ankohet për stadiumin: Sot Prishtina ishte vendas!
Prishtina ka triumfuar në finalen e Kupës së Kosovës duke mposhtur Llapin me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, kur Llapi mbeti me një lojtar më pak. Arbnor Ramadani u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 58-të dhe u përjashtua nga loja, duke lënë skuadrën e Podujevës me dhjetë futbollistë.
Vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 60-të, Prishtina përfitoi nga epërsia numerike dhe shënoi golin e fitores përmes Albin Krasniqit, i cili i dha ekipit të tij trofeun.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit dha mendimin e tij të parë për këtë finale, teksa u ankua për stadiumin.
“Ishte një ndeshje e luftuar. Finalja është finale. Djemtë dhanë gjithçka në ndeshje. Në aspektin profesional, ne e kemi dominuar Prishtinën në çdo aspekt. E morëm kartonin e dytë në momentet më të këqija. Por, ky është futbolli. Unë jam i kënaqur që kam arritur në finale. FFK duhet të vendos qysh në fillim ku të luhet finalja. Sepse sot Prishtina ishte vendas. Të caktohet stadium neutral, jo një ekip të jetë vendas”, tha Batatina.