Bashota: Komandantët s’do ta pranonin marrëveshjen në Rambuje nëse nuk do t’i plotësonte kërkesat e shqiptarëve
Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Bashota, është duke e vazhduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), për të tretën herë radhazi.
Bashota, është duke u intervistuar nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq.
Ai është duke u pyetur për disa dokumente si dhe për marrëveshjen e Rambujesë.
Misetiq, e pyeti Bashotën se përse ishte e nevojshme të bëhej konsultime me komandantët e zonave për marrëveshjen e Rambujesë.
Ai ka thënë se për marrëveshjen e Rambujesë ishte e rëndësishme që të pyeteshin komandantët e zonave për një sërë arsyesh.
“Ishte e nevojshme, sepse ata më herët kishin hezituar të shkonin në Rambuje. Për shkak se kishin një mbështetje të fuqishme tek strukturat e tyre komanduese dhe ushtarët, ishte e domosdoshme të merrej parasysh një përqindje e madhe e qëndrimeve të tyre”, ka thënë Bashota.
Nëse marrëveshja e Rambujesë s’do t’i plotësonte kërkesat e shqiptarëve, Bashota tha se e njëjta s’do të pranohej nga komandantët e zonave.
“Realisht, kishte zëra që nëse në Rambuje do të nënshkruhej një marrëveshje që nuk i plotësonte kërkesat e shqiptarëve, komandantët e zonave kishin deklaruar se nuk do ta pranonin atë. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që ata të pyeteshin”, ka thënë Bashota në Speciale.