Basha e shpalli të konstituuar: Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, s’ka mandatar për Qeverinë deri më 30 shtator

Basha e shpalli të konstituuar: Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, s’ka mandatar për Qeverinë deri më 30 shtator

Gjykata njofton se “parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës” dhe vendimeve të nxjerra në seancat e 26 dhe 28 gushtit 2025.

“Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së akteve të kontestuara për të cilat parashtruesit e kërkesave pretendojnë se janë shkelur neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], neni 24 [Barazia para Ligjit], paragrafi 4 i nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, dhe neni 6 (E drejta për proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe janë në kundërshtim me Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese KO119/14, KO124/25 dhe KO193/25 dhe KO196/25. Parashtruesit e kërkesës po ashtu pretendojnë se është shkelur pika 1 e paragrafit 6 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit” – thotë Aktgjykimi.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2025, njëzëri

VENDOS

I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;

II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025;

III. T’U’A KUMTOJË këtë Vendim palëve;

IV. TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;

V. Ky Vendim hyn në fuqi më 5 shtator 2025.

Gazeta Nacionale, raportoi dje për këtë masë të përkohshme, referuar burimeve tona.

Javën e kaluar, Lista Serbe ka dorëzuar kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese, duke e kontestuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

Në këtë parashtresë, subjekti politik serb ka kërkuar që votimi të kthehet në pikën fillestare dhe të zhvillohet si një proces i unifikuar, pra në formë “pakete”, në përputhje me praktikat e mëhershme parlamentare.

Gjithashtu, në kërkesën e saj partia serbe ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme nga Kushtetuesja, me arsyetimin se rrezikohet rrjedhja e afateve ligjore për formimin e qeverisë së re.

Kjo është lënda e tretë që dërgohet në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Lëndën e parë e kishte dërguar AAK-ja, kurse lëndën e dytë e kishin dërguar PDK-ja dhe LDK-ja.

Në të dy aktgjykimet e para Kushtetuesja kishte konstatuar shkeljen e Kushtetutës nga kryesuesi i seancës konstituive dhe VV-ja.

Share This