
Ballkani demolon Prishtinën e Re, fiton Malisheva, paqe në Klinë
Janë zhvilluar sot tri ndeshjet e para të xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës, me sfida të forta në Klinë, Suharekë dhe Malishevë.
Ballkani ka marrë një fitore të thellë në Suharekë ndaj Prishtinës së Re, duke triumfuar me rezultatin 6-1. nënkampionët në fuqi shënuan nga tre gola në secilën pjesë dhe me këtë fitore ruajnë kreun e tabelës për të paktën një javë tjetër, duke u shkëputur përkohësisht me 2 pikë nga ndjekësit.
Në Klinë, ndeshja mes Dukagjinit dhe Dritës u mbyll me barazimin dramatik 1-1. Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 52-të, ndërsa Drita barazoi në sekondat e fundit, në minutën e 94-të. Dukagjini mbetet i pamposhtur nën drejtimin e trajnerit Ndue Përgjokaj, ndërsa gjilanasit regjistrojnë ndeshjen e dytë me radhë pa fitore.
Fitore të vlefshme ka arritur edhe Malisheva, e cila mposhti Drenicën me rezultat 2-0. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë nga Arlind Veliu, duke i dhënë skuadrës së Elon Berishës tre pikë të rëndësishme.
Tabela pas ndeshjeve të sotme:
- Ballkani – 29 pikë
- Dukagjini – 27 pikë
- Prishtina – 26 pikë (dy ndeshje më pak)
- Malisheva – 25 pikë
- Drita – 24 pikë


