Bajrami: Pagat t’u rriten punëtorëve teknikë të Kuvendit, përtacët e Qeverisë të shkojnë në shtëpi
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për protestën e punëtorëve teknik të Kuvendit të Kosovës, për pakënaqësi të pagës.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se fajëtore për këtë pakënaqësi të këtyre punëtorëve është qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Organizatat buxhetore si puna e Kuvendit, kur japin kontrata për shërbime kompanive private, një nga kriteret duhet me qenë edhe paga që kanë me i pagu punëtorët. Të paktën kompanitë që financohen nga buxheti i shtetit nuk duhet me leju që paga minimale e atyre punëtorëve me qenë nën pagën minimale të stafit të organizatës”.
“Mos harroni këta janë punëtorë që komplet paga mujore ju shkon në ushqim e fatura të rrymës, e çmimet janë dyfish me të larta në krahasim me vitin 2021. Ka tri vite që në të gjitha matjet vendore e ndërkombëtare sfida me e madhe e qytetarëve të vendit është përballushmëria me çmime të larta. Qeveria me mospunë e mosveprime i ka varfëru qytetarët e vendit, andaj sa me parë që këta përtacë shkojnë në shtëpi është më mirë për vendin”, ka thënë Bajrami.