
Bajrami kritikon qeverinë për politikën energjetike: Kosova po bëhet gjithnjë e më e varur nga importi
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë në detyrë për qasjen ndaj sektorit të energjisë, duke ngritur pikëpyetje mbi refuzimin e projekteve të mëdha energjetike dhe pasojat që, sipas saj, kanë shtuar varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.
Përmes një reagimi publik, Bajrami pyeti nëse politika aktuale energjetike është strategji zhvillimi apo një politikë që e bën vendin gjithnjë e më të varur nga tregjet e jashtme.
Sipas saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, fillimisht kundërshtoi projektin e termocentralit të ri të kompanisë ContourGlobal, ndërsa më vonë refuzoi edhe projektin për gazin amerikan, të mbështetur me mbi 200 milionë dollarë nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), i cili ishte miratuar nga Qeveria Hoti.
Bajrami theksoi se arsyetimi i qeverisë ishte orientimi drejt investimeve në sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri, por shtoi se, pas gjashtë vitesh, Kosova nuk ka as termocentral të ri, as projekt të gazit, ndërsa kapacitetet e reja gjeneruese ende mungojnë.
Ajo vlerësoi se gjatë kësaj periudhe vendi ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth një miliard eurosh, duke argumentuar se refuzimi i projekteve të prodhimit të energjisë e ka rritur varësinë nga importi.
“Bajrami thekson se çdo megavat i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë energjetike, ul varësinë nga tregjet ndërkombëtare dhe krijon më shumë mundësi për zhvillim ekonomik.”
Në reagimin e saj, deputetja e LDK-së ngriti edhe një sërë pyetjesh lidhur me planet e qeverisë për gazifikimin e linjitit dhe projektet e përbashkëta energjetike me Shqipërinë.
Ajo kërkoi që ekzekutivi të bëjë publike analizat dhe marrëveshjet eventuale, duke pyetur sa do të kushtojë infrastruktura për gazin e lëngshëm (LNG), cili është kostoja e gazifikimit të linjitit, sa do të jetë kapaciteti i centralit me gaz në Vlorë, me çfarë çmimi Kosova do të furnizohet me energji dhe nëse Shqipëria do të ketë kapacitete të mjaftueshme për eksport.
Sipas Bajramit, vendimet strategjike në sektorin e energjisë duhet të mbështeten në analiza profesionale dhe transparencë të plotë, e jo vetëm në deklarata politike.
Në përfundim, ajo theksoi se refuzimi i projekteve energjetike ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike.
“Kur nuk prodhon, importon; kur importon, paguan më shtrenjtë; kur paguan më shtrenjtë, barrën e mbajnë qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Bajrami, duke shtuar se Kosovës i nevojitet një politikë që rrit prodhimin vendor të energjisë dhe forcon sigurinë energjetike.

