Axios: Rubio përjashton për momentin sulme të reja ndaj Iranit

Axios: Rubio përjashton për momentin sulme të reja ndaj Iranit

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka informuar ditët e fundit disa nga homologët e tij nga vendet aleate se Uashingtoni, për momentin, nuk pritet të nisë sulme të reja kundër Iranit, duke u përqendruar në mjete të tjera presioni si sanksionet dhe masat ekonomike.

Sipas raportimit të uebsajtit Axios, Rubio ka sqaruar se administrata amerikane nuk po planifikon në këtë fazë rikthimin në operacione luftarake në shkallë të gjerë, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në rast se Irani ndërmerr sulmin i pari.

Një zyrtar tjetër amerikan ka theksuar se kjo pritet të mbetet politika e SHBA-së të paktën deri pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Burime të administratës amerikane kanë shtuar se heqja e minave nga shumica e zonave të Ngushticës së Hormuzit, si dhe rritja e lëvizjes së anijeve cisternë të naftës përmes saj, kanë çuar në një rënie të ndjeshme të fuqisë negociuese të Iranit.

Gati gjashtë muaj pas fillimit të konfliktit, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bisent, ka shpallur masa ndëshkuese të reja ndaj Iranit, por pa përfshirë ato që mund të cilësohen si sanksionet më të ashpra.

Departamenti i Thesarit ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj 60 individëve, subjekteve dhe anijeve, por lista nuk përfshinte asnjë nga institucionet financiare kineze të dyshuara për lehtësimin e tregtisë së naftës iraniane. Sanksionet e reja janë zgjeruar në pesë sektorë, duke synuar rrjetet ndërkombëtare të Iranit.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shpallur dy herë armëpushim, në prill dhe qershor, me synimin për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe për të hapur rrugën drejt përfundimit të konfliktit gjashtëmujor, por të dyja përpjekjet kanë dështuar shpejt.

Në këtë sfond, Uashingtoni po e zhvendos fokusin nga veprimet ushtarake drejt presionit ekonomik dhe diplomatik, duke lënë të hapur mundësinë e reagimit nëse tensionet me Iranin përshkallëzohen. /rtsh/

Share This