Arrestohet Metaj, i arratisuri nga burgu i Dubravës
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të mërkurën pasdite Ujkan Metajn, i cili është arratisur ditë më parë nga burgu i Dubravës.
Policia ka thënë se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Ujkan Metaj, i lindur më 1988, është dënuar me 11 vjet burgim për ndihmë në grabitjen e një banke në Istog.
Para se të arratisej, ai e ka fituar të drejtën e kalimit të fundjavës në shtëpi, dhe ka qenë i vendosur në institucion të tipit të hapur.
Përveç Metajt, ditëve të fundit nga burgu ishte arratisur edhe Faton Hajrizi.
Autoritetet në Serbi kanë thënë se e kanë vrarë Hajrizin javën e kaluar, meqë ai ka qenë në kërkim për vrasjen e një zyrtari policor dhe plagosjen e një tjetër në Lloznicë, qytezë serbe në afërsi të Bosnje-Hercegovinës.
Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për rastin e Hajrizit dhe zhvillimet rreth tij në Serbi.