“Arkeologu i vogël”, laboratori edukativ për nxënësit në Kalanë e Shkodrës
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër i është bashkuar këtë vit festimeve në Ditët Evropiane të Trashëgimisë.
Nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, morën pjesë në punëtorinë “Arkeologu i vogël”, e realizuar në hapësirën e Kalasë së Rozafës.
Kjo punëtori stimuloi emocionet dhe kreativitetin e fëmijëve në gjetjet arkeologjike, duke i afruar ata me historinë.
Në laboratorin edukativ të ngritur në mjediset e Kalasë së Shkodrës, të vegjlit u njohën me sekretet e profesionit të arkeologut, mjetet e punës të rëndësishme për zbulimin e artefakteve nga nëntoka, fazat e punës që kalon artifakti, si pastrimi, larja e qeramikës, sitja e dheut për gjetjet e vogla dhe metodologjinë e dokumentimit të këtyre gjetjeve mbi të cilat u punua në praktikë.
Përmes një sondazhi të improvizuar arkeologjik, të vegjlit përjetuan emocionin e “zbulimit” gjatë gërmimit arkeologjik. /ATSH/