
AP për ndeshjen Shqipëri–Serbi: Përballje që s’është veç për tri pikë
Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press, i ka kushtuar një artikull të gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi, e cila do të luhet nesër, e shtunë, në Tiranë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
AP shkruan se përballja në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me tri pikë, pasi jehona e përballjeve të mëparshme është e pamundur të injorohet, dhe ballafaqim i cili është thellësisht i rrënjosur në identitet kombëtare, të cilat “organizatorët po përpiqen me çdo kusht t’i lënë mënjanë”.
Përballja Shqipëri – Serbi, sipas AP-së, është një nga rivalitetet më të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht në futbollin evropian, e mbështetur në tensione të thella historike dhe etnike, veçanërisht ato që lidhen me luftën e Kosovës dhe historinë më të gjerë të Ballkanit.
Associated Press e kujtoi edhe ndeshjen e tetorit të vitit 2014 në Beograd, e cila u ndërpre kur droni me flamurin “Autochthonous”, fluturoi mbi qiellin e Beogradit, i cili më pas shkaktoi përleshje të madhe në fushë.
“Shqipërisë iu dha fitorja 3-0 pas një vendimi që theksonte se loja nuk mund të vazhdonte për shkak të atmosferës armiqësore në stadium. Kjo fitore siguroi kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian 2016 — hera e parë në histori për kombëtaren shqiptare”.