Anulohet tenderi për ushqimin e FSK-së

Anulohet tenderi për ushqimin e FSK-së

Telashet me ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës do ta zgjasin edhe ca kohë.

Dje, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Mbrojtjes ka publikuar njoftimin në E-prokurimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

Nga njoftimi kuptohet se ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,  ka refuzuar të nënshkruajë kontratën për furnizim me bukë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilën Zyra e Prokurimit e kishte proceduar në mënyrë urgjente.

Disa javë më parë ministria e Mbrojtjes kishte shmangur parimet bazë të prokurimit, duke mos lejuar konkurrencë të gjerë.

Në një procedurë të negociuar, prokurimi i ministrisë kishte shpallur fitues një konsorcium të përbërë nga N.T.P HAJDINI COMERC dhe BYLMETI-KS, për një shumë prej saktësisht 2,149,000.00 euro.  Kohëzgjatja e kontratës ishte paraparë të ishte gjashtë muaj.

Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, ministria kishte hasur në vështirësi për të realizuar furnizimin me bukë për ushtarët.

“Arsyeja e anulimit të procedurës është se nuk janë plotësuar kushtet sipas kërkesave të paragrafit 2 të nenit 26 të Ligjit Nr. 04/L-042, Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092”, thuhet në arsyetimin e anulimit të tenderit.

 

Share This