
Analiza e CNN: “Lufta” e Trump me Pekinin po përshkallëzohet! Rrezikohet ekonomia amerikane
Pasojat e luftës tregtare që ai shpalli kundër Kinës po intensifikohen dhe nevoja për deskalim po bëhet gjithnjë e më urgjente, pasi ekonomia amerikane rrezikon të dëmtohet rëndë.
Një tjetër “javë shpërthyese” nis për Donald Trump , sipas një analize të CNN .
Presidenti kinez Xi Jinping aktualisht nuk po i përgjigjet presionit për të zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan për të negociuar një marrëveshje, pas vendosjes së tarifave 145% nga Shtetet e Bashkuara që shkaktoi një konfrontim të ashpër midis dy superfuqive. Trump vazhdon të sigurojë publikun amerikan për “marrëdhëniet e tij të shkëlqyera” me liderin kinez, por ai nuk ka arritur të nisë bisedimet për t’i dhënë fund ngërçit që kërcënon të çojë në një kolaps të ri tregjesh dhe pasoja të dhimbshme për qytetarët.
Pavarësisht pasigurisë mbizotëruese, Trump dëshiron të tregojë se i shijon polemika të shumta që ka nisur, raporton analisti i agjencisë amerikane. Të shtunën e kaluar ai mori pjesë në një luftë MMA në Florida, ku turma e duartrokiti atë pas mbërritjes së tij. Më pas ai deklaroi se pritja e tij nga publiku ishte “legjendare”, gjë që tregon se qeveria e tij “po bën një punë të mirë”.
Por konflikti me Kinën nuk është një spektakël, është një konfrontim i vërtetë me aksione të larta.
Marrëdhënia midis dy ekonomive është thellësisht e ndërvarur: SHBA varet nga Kina për elektronikë, toka të rralla, farmaceutike dhe mallra bazë të konsumit, ndërsa fermerët amerikanë varen nga eksportet e sojës dhe melekuqes në Kinë. Tarifat e vendosura nga të dyja palët janë aq penguese sa mund të çojnë në një ngrirje të plotë të tregtisë.
Të dyja palët mund të pësojnë dëme serioze nëse kjo do të ndodhte. Konkretisht, konsumatorët amerikanë do të përballeshin me mungesë mallrash dhe rritje të çmimeve. Megjithatë, disa ekspertë besojnë se Kina, për shkak të sistemit të saj politik autoritar, do të ishte e gatshme të bënte sakrifica edhe më të mëdha për popullsinë e saj, në mënyrë që të mos mposhtet në përballjen kundër Shteteve të Bashkuara, e cila mund të rezultojë vendimtare.