Ambasadori i SHBA-së në Francë letër Macronit: S’po veproni ndaj akteve të antisemitizmit

Ambasadori i SHBA-së në Francë letër Macronit: S’po veproni ndaj akteve të antisemitizmit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Francë, Charles Kushner, i ka dërguar një letër Presidentit Emmanuel Macron, duke dënuar mungesën e veprimeve të mjaftueshme nga qeveria franceze për të luftuar rritjen e antisemitizmit në vend.

Letra, që mban datën e sotme përkon me 81-vjetorin e Çlirimit të Parisit nga Aleatët, i cili shënoi fundin e deportimit të hebrenjve nga territori francez gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në letrën e siguruar nga agjencia AFP, ambasadori Kushner, babai i Jared Kushner-it, dhëndrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shpreh shqetësimin e thellë për “rritjen dramatike të antisemitizmit në Francë dhe mungesën e veprimeve të mjaftueshme nga qeveria juaj për ta adresuar atë”.

Ai shton se “në Francë, asnjë ditë nuk kalon pa sulme ndaj hebrenjve në rrugë, pa vandalizime të sinagogave apo shkollave, apo pa dëmtimin e bizneseve të pronarëve hebrenj”.

Kjo letër vjen pak ditë pas deklaratave të ngjashme nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili të martën akuzoi Macron për nxitjen e antisemitizmit, duke thënë se ky fenomen ka “shpërthyer” në Francë pas njoftimit të Presidentit francez muajin e kaluar për njohjen e shtetësisë palestineze.

Në përgjigje, Pallati Elysee i cilësoi akuzat e Netanyahut si “të ulëta” dhe “të gabuara”, duke shtuar se “ky është një moment për seriozitet dhe përgjegjësi, jo për përzierje dhe manipulime”. /rtsh/

Share This