
Allegri pas humbjes ndaj Arsenalit: Ende kemi punë për të bërë
AC Milan e nisi me humbje turneun aziatik, duke u mundur 1-0 nga Arsenali në ndeshjen e parë miqësore të verës, por për trajnerin Massimiliano Allegri, kjo sfidë shërbeu si një test i vlefshëm për të vlerësuar progresin e skuadrës pas vetëm dy javësh stërvitje.
“Ishte një provë e mirë kundër një prej skuadrave më të forta në Evropë,” deklaroi Allegri pas ndeshjes.
“Jam i kënaqur me reagimin e djemve dhe me frymën e sakrificës që treguan pa top”, theksoi ai.
Në debutimin e tij në bankinën kuqezi për këtë sezon, Allegri përdori një skemë me tre mbrojtës, që kalonte në pesëshe në fazën mbrojtëse, duke kërkuar më shumë ekuilibër ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë. Ai vlerësoi angazhimin e lojtarëve, por pranoi se ekipi duhet të shfrytëzojë më mirë rastet në lojë të hapur.
Rafael Leao u vendos në qendër të sulmit, një zgjedhje që sipas Allegrit dha rezultat.
“Ai luajti një ndeshje shumë të mirë, jam i kënaqur me paraqitjen e tij”, pohoi tekniku italian.
Pavarësisht humbjes, Allegri e konsideron paraqitjen për një orë në të njëjtin nivel me Arsenalin si një sinjal pozitiv, por theksoi se skuadra ka ende shumë për të mësuar dhe përmirësuar në prag të sezonit të ri.


