Ali Ahmeti: Nuk kam kontakt me Grubin dhe as informacione se ku ndodhet
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka përsëritur edhe një herë se nuk ka kontakte me Artan Grubin.
Ahmeti ka ritheksuar se nuk ka kontakt me Artan Grubin dhe nuk kam informacione të detajuara mbi vendndodhjen e tij aktuale.
Por, ai ka thënë për RTV21, se beson fuqimisht se çdo qytetar, përfshirë edhe Grubi, meriton një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm dhe larg çdo aplikimi selektiv të drejtësisë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut publikoi më 18 dhjetor fletarrestimet ndërkombëtare të lëshuara për Grubin dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin. Këto fletarrestime u lëshuan me kërkesë të Prokurorisë Publike dhe bazohen në vendimin e Gjykatës Themelore, e cila më 17 dhjetor vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit.
Grubi dhe Bajrami akuzohen “për përvetësim të pasurisë së paligjshme”, nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro.
Grubi, ish-deputet, tanimë edhe ish-anëtar i BDI-së, në opozitë, rrezikon të dënohet me burgim deri në pesë vjet, nëse shpallet fajtor.