
Ali Ahmeti do të mbajë fjalim në protestën e veteranëve të UÇK-së në Prishtinë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, do të jetë njëri nga katër folësit që pritet t’u drejtohen qytetarëve në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila do të mbahet të enjten në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, i cili theksoi se Ahmeti është i ftuar special në këtë tubim protestues.
Sipas Syles, përveç Ahmetit, në protestë do të flasin edhe tre përfaqësues të tjerë, mes tyre edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Protesta është thirrur në shenjë kundërshtimi ndaj, siç u cilësua nga organizatorët, padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ajo pritet të nisë në orën 17:00 dhe do të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

