Aktakuza e re ndaj Thaçit mund të ndikojë në vazhdimin e masës së paraburgimit
Njohës të ligjit vlerësojnë se ngritja e aktakuzës së re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, e konfirmuar të premten nga Gjykata Speciale në Hagë, nuk mund të ndikojë në vendimin përfundimtar të gjyqit aktual për krime të pretenduara të luftës, por pritet të ndikojë në vazhdimin e masës së paraburgimit. Të njëjtit tregojnë se bazuar në veprat penale për të cilat dyshohet Thaçi, në bazë të aktakuzës së re, dënimi maksimal mund të arrijë deri në pesë vjet burg.
Në aktakuzën e konfirmuar janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Përveç Thaçit, në aktakuzë përfshihen edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu.
Monitoruesi dhe avokati Amer Alija thotë se aktakuza e konfirmuar nga Gjykata Speciale mund ta vështirësojë punën sa i përket caktimit të masës së paraburgimit në të ardhmen.
Alija potencon faktin se është hera e parë që kundër Thaçit është ngritur aktakuzë e dytë.
Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari vlerëson të paqëndrueshme aktakuzën e re ndaj Thaçit. Sipas tij, në referencë të kodit penal, element esencial i kësaj vepre penale është dhuna apo kanosja serioze, për çka potencon se një gjë e tillë është e pamundur të kryhet nga një person, të cilit i është privuar liria.
Bajraktari thotë se ngritja e aktakuzës së re dëshmon dështimin e prokurorisë në aspektin profesional mbi pretendimet në raport me akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai konsideron se kjo aktakuzë mund të përdoret si justifikim për të vazhduar paraburgimin ndaj të akuzuarit.
Përveç këtyre, avokati Bajraktari tregon se dënimi maksimal për veprat penale për të cilat është ngritur aktakuzë e re mund të jetë deri në pesë vjet.
Njëjtë potencon edhe avokati Alija. Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Thaçin me dyshime se ai u ka dhënë informacion konfidencial Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçit, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit – ku Thaçi mbahet prej nëntorit 2020.
Sipas një njoftimi që Specialja dërgoi të premten në mbrëmje, të gjithë këta dyshohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Informacioni, sipas aktakuzës, ka të bëjë me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Aktakuza thotë se Thaçi dyshohet t’u ketë dhënë atyre udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë. Ndërkaq, kundër Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Njoftimi për ngritje të aktakuzës erdhi pasi Specialja transferoi në Hagë, Isni Kilajn, Bashkim Smakajn e Fadil Fazliun, të cilët i kishte arrestuar të enjten gjatë një operacioni në Kosovë./KosovaPress/