Aksion tjetër i policisë në veri, Sveçla: Nëse dikush mendon se do ta lëmë me kaq, e ka gabim
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur sot sërish në lidhje me sulmin terrorist në kanalin e ujit “Ibër-Lepenci” dhe aksionin e ri policor në veri.
Ai gjatë ditës së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë qëndruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë informuar për së afërmi nga ekspertët e fushës në lidhje me gjendjen aktuale në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sveçla ka folur mbi aksionin policor në lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, në lidhje me sulmet e fundit në veri, përfshirë edhe sulmin në kanalin e ujit.
“Nuk jam në ngjarje dhe detaje se çfarë është duke ndodhur. Unë e di që policia po e vazhdon punën e saj. Realisht, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike. Nëse dikush mendon se ne do ta lëmë me kaq, e ka shumë gabim. Institucionet e sigurisë dhe hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodhur dhe kush e ka kryer këtë, patjetër se përgjegjësit do t’i vë para drejtësisë, kurse përgjegjësit apo urdhërdhënësit e tyre patjetër që do të marrin barrën politike”, ka thënë Sveçla.
Njësitë e Policisë së Kosovës po vazhdojnë me bastisje nëpër lokacione të ndryshme. Mësohet se aktualisht ata janë duke zhvilluar bastisje në Varagë të Zubin Potokut, përkatësisht në disa lokacione përreth vendit të incidentit. /KosovaPress/