Akil Gjakova: Humbja nuk ma mori ëndrrën, një ditë do ta kem medaljen
Xhudisti kosovar Akil Gjakova përmes rrjeteve sociale, ka folur për eksperiencën në Lojërat olimpike ‘Paris 2024’.
Garuesi ynë arriti deri në repesazh për të luftuar për medaljen e bronztë, por fatkeqësisht pësoi në ndeshjen e parë të repesazhit.
Gjakova thotë se pvarësisht humbjes, pjesëmarrja në ‘Paris 2024’ është një arritje e madhe.
Akili thekson se humbja nuk ia mori ëndrrën dhe se kjo medalja është synimi i tij jetësor.
“Përfunduan edhe Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’. Fatkeqësisht me fatin e keq iku edhe shanse për të fituar medaljen olimpike. Medalje kjo që kurrë me parë nuk ka qenë me afër meje se tani, por fati sportiv ma mori nga dora. Megjithatë, nuk ma mori ëndrrën që unë një ditë ta kem edhe këtë medalje, e cila është synimi im jetësor. Unë kam filluar të stërvitem në sportin e xhudos, në vitin 2002, me trajnerin tim Driton Kuka. Që atëherë e deri sot kam bërë çdo gjë nga vetja të arrijë këtu. Natyrisht kam pasur fatin ta kem trajnerin më të mirë në botë, në krahun tim. Atij, familjes time, qytetit tim dhe Republikës së Kosovës, ia dedikoj të gjithë të arriturat e mija”, ka thënë Gjakova, i cili me pas ka thënë se xhudos i ka dhënë të gjitha: kohën, fokusin, dedikimin, sakrificën dhe përkushtimin e duhur. Derisa thotë se edhe xhudo i ka sjellë atij shumë, por jo mjaftueshëm. “Ende kam punë për të bërë”, ka shkruar Gjakova.
Xhudisti pejan me pas ka folur për nivelin e sportit ku ka garuar. Sipas tij për të qenë sportist i nivelit të tillë para se gjithash, duhet të jesh një karakter i vërtetë, të kesh një disiplinë, regjim dhe kulturë tejet të lartë dhe pastaj fillon dhe vjen në shprehje puna dhe të arriturat.
“Për ta prekur këtë nivel nuk është aspak e lehtë, sepse ky nivel me bën sportistin me kompetitiv në Republikën e Kosovës! Një xhudist fillon ditën në ora 05:00 për stërvitjen e mëngjesit. Për t’u kthyer në shtëpi dhe për ta mbyllur ushqimin e zgjedhur. Duke bërë gjumin me minuta dhe për tu përgatitur për stërvitjen e radhës. E kështu me radhë. Pa parashikuar asnjë herë kushtet, faktorët e jashtëm dhe rrethanat e paparashikuara: lëndimet, sëmundjet, problemet dhe çështjet e tjera të cilat na rrethojnë si sfida të jetës”.
Sukseset e Gjakovës janë të mëdha, pothuajse të prekshme për sportin e Kosovës. Ai është kampion Evropian (U18), kampion Evropian (U23-Gior 2018), kampion Evropian (Lisbona 2021). Gjithashtu ka medalje të artë në Lojërat Mesdhetare (Tarragona 2018), si dhe medalje të artë edhe në Grandslamin në Paris (2018). Akili ka fituar medalje të artë edhe ne “grand prix”. Medalje e bronzta nuk mungojnë në sirtarin e Akilit, kurse Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” e ka zënë vendin e shtatë si dhe suksesin në “Paris 2024”.
“Këto janë sukseset e mija të cilat nuk mi ka falur askush, por janë arritur në saje të një sakrifice të cilën e di veç unë, trajneri im dhe familja ime”, ka pohuar ai.