Ajet Shosholli godet me fakte Baton Haxhiun
Në një ndërhyrje online në emisionin “Dueli Sportiv”, trajneri i mirënjohur Ajet Shosholli doli në mbrojtjen e historisë së futbollit kosovar nga pretendimet e pavërteta të Baton Haxhiut.
Ky i fundit, i cili pretendonte se kishte shërbyer si gjyqtar federativ dhe kishte kontribuar në periudhën e mëvetësimit të futbollit, u sfidua ashpër nga Shosholli. Baca Ajet e demantoi fuqishëm Haxhiun duke theksuar se nuk kishte asnjë evidencë që tregon se ai kishte qenë pjesë e ndonjë ndeshjeje si gjyqtar federativ.
I zënë ngushtë nga ky argumentim nga një njeri me vlera të mëdha në futbollin e Kosovës, Haxhiu duke u munduar të arsyetohet tha se ishte pjesë e gjeneratës e cila u licencua si gjyqtar federativ, por që me shkatërrimin e Jugosllavisë iu pamundësua që të jetë gjyqtar i këtij niveli.
Shtysë për këtë përballje ishte përpjekja e Haxhiut për “ta shitur” në opinion një gënjeshtër se ai me Bylbyl Sokolin kanë qenë prijës të themelimit të ligës së pavarur nga regjimi serb dhe një ngjarje të vitit 1993 për ta kamufluar si një zhvillim të vitit 1991.
Në këtë mënyrë ai u përpoq ta mohojë kontributin e Bacës Ajet në atë periudhë. Por dihet botërisht se Shosholli dhe shumë të tjerë në vitin 1991 ishin të angazhuar për t’i thënë përfundimisht “Jo” garave nën regjimin serb, duke krijuar federatën paralele dhe organizimin e garave të Republikës së Kosovës. Madje, Baca Ajet ia tha në sy Haxhiut se ai s’ka asnjë lidhje me mëvetësimin e futbollit të Kosovës në vitin 1991.
Në këtë kontekst, pretendimet e Haxhiut u dëshmuan të pasakta edhe nga “shoku” i tij Bylbyl Sokoli si dhe nga protagonisti i asaj kohe në KF Prishtina, Arbnor Morina. Ky i fundit ofroi fakte të padiskutueshme që vërtetuan kontributin e vërtetë të Shoshollit dhe mohuan përpjekjet e Haxhiut për të mohuar rolin e tij. Përpjekjet e Haxhiut për të minimizuar kontributin e Shoshollit dhe për të shpërndarë informacion të rremë nuk do të qëndrojnë asnjëherë përballë provave të qarta të njerëzve të futbollit.
Përpjekja e Baton Haxhiut dhe individëve të caktuar për të shtrembëruar historinë e futbollit thekson nevojën për saktësi dhe ndershmëri në dokumentimin e historisë sportive dhe për respektimin e kontribuesve të vërtetë që kanë luajtur role të rëndësishme në periudha të vështira.
Në një kohë kur historia shpesh është subjekt i manipulimeve dhe interpretimeve të ndryshme, është thelbësore të mbrohet e vërteta dhe të vlerësohet saktësisht puna e individëve që kanë ndihmuar në zhvillimin e sportit dhe kulturës dhe të mos lejohen njerëz që kanë qenë krejta ansh ose fare pjesë e futbollit që të flasin për periudhën e rezistencës ndaj regjimit.