Ahmeti, kreut të Kushtetueses: The se ‘nuk u frikësuam se jemi burra’, urdhëro ndrysho Ligjin për Gjuhët
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka folur përsëri për seancën e 11 dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, ku pritej të shqyrtohej Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, por që u shty, duke thënë se Kushtetuesja ishte përgatitur për ta hedhur këtë ligj në koshin e plehrave.
Gjatë një tubimi me qytetarë, Ahmeti, partia e të cilit kishte vendosur çadra para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese të RMV-së si protestë ndaj këtij institucioni për të mos e ndryshuar ligjin për gjuhët – pasi që do të afektohej drejtpërdrejtë përdorimi i Gjuhës Shqipe – ka theksuar se ligji për gjuhët është i larë me gjak, prandaj edhe nuk mund të ndryshohet.
“Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese ka përgatit ta hedhë në shportën e plehrave ligjin e gjuhës dhe këto informata i kemi pasur të qind për qindta. Tani dalin e thonë se nuk ka qenë e vërtetë. E vërtetë si delli që linden nesër ka qenë”, tha Ahmeti.
Lideri i BDI-së potencoi se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, pasi që u shty seanca për shqyrtimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, kishte thënë se “ne nuk u frikësuam, se ne jemi burra trima”.
Por, Ahmeti e sfidoi kreun e Kushtetues nëse mundet ta marrë ndonjë veprim sa i përket ligjit për gjuhët.
“Hajde urdhëroni, ndryshojeni ligjin. Ai ligj është i larë me gjak ore vëlla”, deklaroi lideri i integristëve.
Ndryshe, Kryetari i Kushtetuese në RMV Kostadinovski, ka bërë të ditur se seanca përgatitore e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve pritet të mbahen në periudhën prej 19 deri më 21 mars të 2025-së.
Ai ka thënë se janë propozuar mbi 20 emra si ekspertë të së drejtës kushtetuese, të drejtës ndërkombëtare dhe ish-gjykatës nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilët do të ftohen për t’i dhënë mendimet e tyre.
Opozita shqiptare në RMV ka ngritur vazhdimisht shqetësimin se Kushtetuesja mund të shfuqizojë disa nene të këtij ligji, përmes të cilave do të afektohej përdorimi i Gjuhës Shqipe, prandaj edhe kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë fuqishëm një gjë të tillë.