Abdixhiku: Zgjedhjet e ardhshme bëhen për hapin e Kosovës drejt familjes euroatlantike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dalë me një reagim pas përplasjeve pozitë- opozitë për çështjen e ushqimit në FSK dhe disa bisedave që janë publikuar së fundi në medie, siç është ajo e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin dhe Mimoza Kusari-Lilës me Igor Simiqin.
Abdixhiku ka thënë se “paniku i pushtetit pas shpërthimeve të skandaleve të njëpasnjëshme, po i shtynë ata drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef”.
Ai ka theksuar se sa më të thella janë skandalet aq më të thella janë ofendimet.
Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit nuk do të bëhen se kush shan më mirë dhe se për këtë ua jep medaljen që tani Vetëvendosjes.
“Sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet! Skandalet do të thellohen, me to dhe ofendimet. Sepse sharja është e lehtë, sidomos për ata që se bëjnë dot një shenjë ani pse kishin 51% e plot 12 miliardë euro buxhet! Por zgjedhjet e ardhshme s’bëhen se kush shanë e kush pështynë më mirë. Po ua japim këtë medalje që në fillim”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e ardhshme do të bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, shkollat e dobëta, spitalet e vjetërsuara, për hapin e Kosovës drejt familjes euroatlantike.
Ai ka shtuar se ky rrugëtim nuk bëhet me mllef e ndarje e me kaq pak rezultat.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve “sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty”.
“Zgjedhjet e ardhshme bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, investimet që s’bëhen, punët që s’janë, ikjen masive, shkollat e dobëta e spitalet e vjetëruara; për përballjet e brengat e familjeve kosovare nga mëngjesi deri në mbrëmje! Zgjedhjet e ardhshme bëhen për hapin e domosdoshëm të Kosovës drejt familjes euroatlantike; aty ku Shqipëria dje nisi anëtarësimin – e ne vazhdojmë nën masa, pa njohje e pa anëtarësime. Këtu, në këtë fushë do të na gjeni ne. Mua dhe ekipin tim të programit ‘Rruga e Re’; këtu, në këtë përpjekje, do të përpiqemi të bëjmë bashkë secilin që ndjenë se rrugëtimi i domosdoshëm i Republikës nuk bëhet dot me kaq shumë mllef e ndarje, me kaq pak rezultat. Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty!”
“Nga sot, deri më 9 shkurt, ju ftoj të bëni këtë rrugëtim me mua. Rrugën, drejt një Republike që e meritojmë, drejt shpresës e jetës së mirë, duhet ta bëjmë bashkë. Dhe rrugën do ta bëjmë bashkë!”, ka shkruar lideri i LDK-së.