Abdixhiku takon Kallasin: Ia paraqet propozimin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse

Abdixhiku takon Kallasin: Ia paraqet propozimin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherësh zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, Abdixhiku ka paraqitur qëndrimet e LDK-së lidhur me nevojën urgjente për heqjen e masave të vendosura ndaj Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian.

“Sot, takova Përfaqësuesen e Lartë, zv.presidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas. I shpreha qëndrimet e LDK-së mbi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa më shumë se një qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës. I shtrova dhe pikëpamjet tona mbi procesin e dialogut dhe të ardhmen që na pret,” ka shkruar Abdixhiku në rrjetet sociale.

Kreu i LDK-së theksoi se në takim është diskutuar edhe për situatën aktuale politike në vend dhe për propozimin e LDK-së për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, të cilën ai e konsideron si zgjidhjen e vetme funksionale për tejkalimin e krizës.

“E njoftova mbi krizën aktuale politike në vend dhe propozimin e LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse si ide e vetme funksionale sot. Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik, kërkon guxim vendimmarrës, siç dhe kërkon një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme për popullin e Kosovës,” ka përfunduar Abdixhiku. /Rekordi.net

Share This