
Abdixhiku takon 83 nëndegët e LDK-së në Prishtinë: Kryeqyteti gati për fitore
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim mobilizues me 83 nëndegët e LDK-së në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një frymë pozitive pune dhe përgjegjësie për sfidat që e presin partinë.
Abdixhiku tha se takimi shërbeu si përgatitje për betejën e ardhshme elektorale, duke theksuar organizimin dhe seriozitetin e strukturave të partisë në Kryeqytet.
“Takim mobilizues e përgatitor me nëndegët e Prishtinës, me të 83 sosh, për një fitore të radhës në Kryeqytet. Një frymë e mirë pune, një energji pozitive dhe një ndjenjë e qartë përgjegjësie për momentin që kemi përpara. Organizim i jashtëzakonshëm, seriozitet dhe gatishmëri për betejën që po vjen”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se nga dita e nesërme, 30 kandidatët e LDK-së për deputetë nga Prishtina, së bashku me aktivistët e partisë, do të jenë të pranishëm në çdo lagje për të takuar qytetarët dhe për të prezantuar programin e tyre.
“Nga nesër, të 30 kandidatët tanë për deputetë nga Kryeqyteti, bashkë me aktivistët tanë nga Prishtina dhe jo vetëm, do të jenë në secilën lagje, pranë çdo qytetari, për të dëgjuar, për të folur dhe për të ndërtuar fitoren hap pas hapi. Prishtina ka ditur gjithmonë të japë shembull. Edhe kësaj here, Kryeqyteti është gati. Prishtina flet sërish e para. Prishtina zgjedh shpresën”, ka përfunduar Abdixhiku.


