Abdixhiku: Kuvendi i 31 janarit është mundësi për forcimin e LDK-së, jo krizë

Abdixhiku: Kuvendi i 31 janarit është mundësi për forcimin e LDK-së, jo krizë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ku është vendosur që Kuvendi i partisë të thirret më 31 janar, duke theksuar se aty do të merren vendime për çështjet më të rëndësishme të partisë, në përputhje me statutin dhe traditën demokratike të LDK-së.

Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja zgjedh maturinë dhe dialogun në një klimë politike të ngarkuar me tensione dhe gjuhë përçarëse.

“Në një kohë kur politika shpesh ushqehet me tension dhe gjuhë përçarëse, ne zgjedhim maturinë. Zgjedhim qetësinë, dialogun e gjerë dhe besimin në demokracinë e brendshme. Debati është i shëndetshëm; përçarja pa debat dhe pa demokraci është dëm”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se Kuvendi i 31 janarit nuk duhet parë si krizë, por si një mundësi për forcimin e partisë.

“Kuvendi i 31 janarit nuk është krizë, por mundësi. Mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe për të dalë më të fortë nga ky proces”, ka shtuar ai.

Sipas Abdixhikut, pas këtij kuvendi, LDK-ja do të vazhdojë rrugën përpara më e qartë në orientim, më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat politike që e presin.

Share This