Abdixhiku: Hajnat e VV-së po iu kërkojnë llogari minatorëve të ngratë që s’kanë marrë paga 3 muaj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me vizitën që bënë dje në Trepçë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe akuzave që bën për vjedhje e keqpërdorime atje.
Abdixhiku ka thënë se “emëruesit dhe mbrojtësit e Nagipit e Martinit”, u kërkuan llogari minatorëve që i lanë pa paga për tre muaj rresht. Sipas Abdixhikut, zyrtarët e Qeverisë kanë keqkuptuar rolet e përgjegjësitë e po sillen si kapadai.
“Këtë arrogancë pushteti e sjellje mbajeni në mend. Zgjedhjet janë afër. 9 shkurti po vjen. Kuptojeni se këta nuk njohin ndjenjën e shërbimit ndaj tjetrit sepse i shërbejnë veç vetes. Siç nuk kuptojnë se aty – me 51% – janë për udhëheqje e zgjidhje problemesh; më së paku për ofendim, poshtërim e nënshtrim të hallgjorëve!”, ka shkruar Abdixhiku.
Në një video që u publikua në media, Sveçla dëgjohet duke u thënë minatorëve si kolektiv duhet të punojnë që t’i zënë ata që po vjedhin në Trepçë.
“Hajde po punojmë bashkë, kushdo që vjedh me i nxanë”, dëgjohet duke thënë ministri Sveçla.
Akuza drejtoi edhe Rizvanolli, përmes një postimi në Facebook.
“Sikur kjo të mos mjaftonte, gjatë ditëve të fundit kemi parë se si persona të caktuar kanë qenë duke marrë pagë nga Trepça, pa shkuar fare në punë, madje disa thuhet me muaj e vite të tëra. Të tjerë janë suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e shkelje të tjera të rënda. Në Trepçë përfundimisht duhet të ndahet punëtori nga jo-punëtori, i drejti nga keqpërdoruesi, puna nga krimi. Fshehja e padrejtësisë e keqpërdorimit ka kaluar shumë gjatë e fshehur prapa “djersës së minatorit””, shkroi ai.