A po “vdesin” kultura dhe sporti në Drenas?!
Shkruan: Zeqir BEKOLLI
Në periudhën e demokracisë dhe të lirisë, kur i kemi institucionet tona, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, në Drenas kultura dhe sporti kaherë kanë marrë tatëpjetën. Kulmi i saj u shënua me tërheqjen nga garat të KF “Ferronikeli”, i cili nuk u dorëzua as gjatë periudhës së pushtimit të egër serb, pas viteve të nëntëdhjeta.
Të thuhet se arsye për tërheqje janë referimet, kur ndeshjet përcillën edhe me sistemin “Var”, kjo është paksa e pa bindshme. Në këtë klub problemet janë shumë më të thella.
T’ua përkujtojmë se “Ferronikeli”, pas lufte qe bërë kampion Kosove dhe pat shkelë edhe në arenën ndërkombëtare të futbollit. Nëpër kuloare po flitet se me këtë skuadër u bënë lloj-lloj manipulimesh gjë që ndikoi që asaj t’i vjen laku te fyti dhe ndodhi kjo që po e shohim të gjithë.
Duhet t’ju përkujtohen edhe periudhat e hershme, kur “Ferronikeli”, luante në fusha prej dheu, kurse lojtarët pastroheshin nga balta nëpër përrocka dhe nuk dorëzoheshin, për dallim që sot e kanë një stadium modern me të gjitha kushtet.
Duke u larguar nga garat e futbollit, skuadra e “Ferronikelit” ua mbylli edhe një shteg talenteve të rinj të futbollit të kësaj komune, kurse qytetarëve nja 90 minuta argëtim.
Por, nuk është vetëm “Ferronikeli” që pësoi. Edhe sportet tjera nuk janë në gjendje aspak më të mirë.
Të mos flasim për festivale e aktivitete të ndryshme kulturore. Bie fjala, Revista e Folklorit Burimor”, që dikur i grumbullonte artistët nga të gjitha viset shqiptare, u zhduk si të mos ekzistonte fare!
Një aktivitet kulturor i njohur si Sofra Poetike “Ymer Elshani”, mezi po mbijeton. Për ironinë më të madhe, këtë manifestim në vend që ta udhëheqin kuadrot vendase, i sjellin të tjerët, që dikur e luftonin poetin martir Ymer Elshani.
Ansambli Shotë Galica, që po thuaj funksionon në mënyrë krejt private, sipas drejtuesit të saj, nuk e përjeton dorën e Drejtorisë së Kulturës të kësaj komune ka kohë.
Kjo drejtori, posa dha lajmin se sivjet nuk do të ketë as subvencione për projekte kulturo-artistike! Me një fjalë kultura dhe sporti në këtë komunë po “vdesin”!
Ky realitet i hidhur, në këtë fushë, nuk bën të mbetët kështu. Kultura dhe sporti janë shpirti i një populli dhe nuk bën të degradohen deri në këtë shkallë.
Këta janë shembuj të mjaftushëm se Drenasi ka nevojë për ndryshim!