A po shuhet përfundimisht dialogu Kosovë-Serbi? – Analistët në Beograd: Kosova s’është më temë

A po shuhet përfundimisht dialogu Kosovë-Serbi? – Analistët në Beograd: Kosova s’është më temë

Se a do të “ringjallet” dialogu Kosovë-Serbi, pas zëvendësimit të Lajçakut me Peter Sorensen, në Beograd thonë se kjo çështje ka mbetur në heshtje.

Sipas analistëve në Serbi, s’ka përparim thelbësor sa i përket takimeve për të zgjidhur apo për të përafruar ato që kanë dalë nga marrëveshjet e mëhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e parë e Peter Sorensenit në Beograd dhe Prishtinë si i dërguar i ri special i BE-së për dialog ndodh në një moment kur pritjet për këtë proces janë jashtëzakonisht të ulëta. Edhe pse ai bëri thirrje për vazhdimin e bisedimeve, analistët nuk shohin hapësirë për përparim thelbësor.

“Përfaqësuesja e re e lartë Kaja Kallas dhe i dërguari i ri Sorensen do të përpiqen ta mbajnë dialogun gjallë, por nuk ka vend për rezultate të mëdha, as për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese”, tha për RTK-në Milosh Pavkoviq nga Qendra e Politikave Evropiane.

Sipas analistëve, dialogu mbahet në jetë vetëm nën presion ndërkombëtar, ndërsa çështjet kyçe mbeten të pazgjidhura. Për analistin politik Dushan Janjiq, ky proces tashmë konsiderohet i përfunduar.

“Kosova është kthyer në një çështje të politikës së jashtme për pushtetin në Beograd. Kjo është bërë qëllimisht, me ndihmën e ‘menaxhimit të konfliktit’. Sot mund të them, Kosova është përtej historisë dhe nuk është më temë”, tha Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike. Përveç BE-së, pritet edhe angazhimi i SHBA-së. Megjithëse fokusi i Uashingtonit aktualisht nuk është në Ballkan.

“Administrata e re amerikane nuk është treguar e interesuar për dialogun. Megjithatë, nuk përjashtohet që më vonë të përfshihen më shumë, sidomos nëse BE vazhdon ta udhëheqë këtë proces në mënyrë të pasigurt”, tha Pavkoviq.

Analistët vlerësojnë se pas vizitave të para të të dërguarit të ri të posaçëm të BE-së për dialog në Beograd dhe Prishtinë, ky proces vazhdon të ekzistojë falë presionit ndërkombëtar. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, ata konsiderojnë se pa vullnetit politik është e vështirë të pritet ndonjë përparim i qëndrueshëm. /rtk/

Share This