
Seville i jep fund pritjes, shpallet kampion bote në 100 metra
Atleti xhamajkan Oblique Seville ka shkruar histori në Kampionatin Botëror të Atletikës, duke u shpallur kampion bote në garën e 100 metrave dhe duke i dhënë fund pritjes së gjatë të vendit të tij për një pasardhës të Usain Bolt.
Në finalen e madhe, 23-vjeçari triumfoi me kohën 9.77 sekonda, rezultat që përbën rekordin e tij personal. Pas tij u rendit shoku i skuadrës, Kishane Thompson, me kohën 9.82 sekonda, ndërsa medalja e bronztë shkoi për amerikanin Noah Lyles me 9.89 sekonda – koha më e mirë e tij këtë sezon.
Me këtë sukses, Seville u bë vrapuesi i parë nga Xhamajka pas legjendarit Usain Bolt që rikthen titullin botëror në 100 metra. Bolt kishte qenë i fundit që e kishte fituar këtë garë për vendin e tij, duke lënë një boshllëk që tani është mbushur nga ylli i ri i sprintit.
Në pozitat nga e katërta deri në të shtatën u renditën Kenneth Bednarek, Gift Leotlela, Kayinsola Ajayi dhe Akani Simbine, ndërsa Letsile Tebogo u përjashtua pas një starti të parregullt.

